Problemet ligjore të Kanye West duket se nuk kanë të ndalur. Reperi dhe producenti i njohur amerikan është paditur sërish, këtë herë nga një producent muzikor, i cili pretendon se ka punuar në disa prej projekteve të tij më të fundit, por nuk ka marrë pagesën e dakorduar.
Sipas padisë, producenti thotë se ka kontribuar në zhvillimin e materialeve zanore dhe modeleve të inteligjencës artificiale të përdorura për zërin e Kanye West gjatë realizimit të albumeve Vultures 2 dhe Bully. Ai pretendon se puna e tij është përdorur në procesin krijues, megjithatë nuk është paguar dhe emri i tij nuk është përfshirë në kreditet zyrtare të projekteve.
Në dokumentet e dorëzuara në gjykatë, producenti kërkon mbi 110 mijë dollarë dëmshpërblim, duke e akuzuar West për shkelje kontrate dhe përfitim të padrejtë nga puna e tij. Deri më tani, Kanye West dhe përfaqësuesit e tij nuk kanë komentuar publikisht mbi padinë e re.


