Kanye West është paditur nga këngëtarja gjermane Alice Merton për shkelje të të drejtave të autorit, pasi reperi ka përdorur pa leje një pjesë nga kënga e saj “Blindside” në këngën e tij “Gun to My Head”, e publikuar në albumin “Vultures” në dhjetor 2023. Në padinë e dorëzuar në një gjykatë federale në SHBA, Merton deklaron se, pasi dëgjoi këngën e Kanye, u kontaktua nga menaxhmenti i tij për të kërkuar miratim zyrtar për përdorimin e mostrës muzikore.
Ajo e refuzoi kërkesën duke theksuar se “vlerat e artistit janë në kundërshtim të plotë me tonat”, duke iu referuar deklaratave antisemitike dhe mbështetjes publike të reperit për ideologjinë naziste. Merton, që jeton në Gjermani dhe ka familjarë hebrenj të mbijetuar nga Holokausti, thotë se është përballur edhe me kërcënime nga fansat e Kanye pas këtij refuzimi. Deri më tani, përfaqësuesit e reperit nuk kanë komentuar mbi padinë.