Jon Bon Jovi u detyrua ta përfundonte më herët koncertin e tij në Madison Square Garden në New York, pasi po përballej me një infeksion të sinusëve. Shfaqja, pjesë e turneut “Forever Tour”, u ndërpre pas rreth 90 minutash, ndërsa artisti iu kërkoi fansave të ruanin biletat, duke premtuar se do të gjente një mënyrë për ta rikuperuar koncertin.
“Më vjen keq. Nuk jam në gjendjen time më të mirë sonte,” u tha Bon Jovi të pranishmëve, para se të largohej nga skena. Përfaqësuesit e tij konfirmuan më vonë se këngëtari 64-vjeçar po lufton me një infeksion të sinusëve, gjë që e bëri të pamundur vazhdimin e performancës.
Pavarësisht ndërprerjes së koncertit, mbrëmja pati edhe një moment të veçantë, kur Pat Monahan, vokalisti i grupit Train, iu bashkua Bon Jovit në skenë për interpretimin e hitit legjendar “Livin’ on a Prayer”.
Ky turne shënon rikthimin e madh të Bon Jovit në skenë pas operacionit në kordat vokale dhe një periudhe të gjatë rehabilitimi. Vetëm pak javë më parë, ai kishte deklaruar se ishte “plotësisht i rikuperuar” dhe e kishte cilësuar rikthimin në skenë si një “rilindje” në karrierën e tij.


