Johnny Depp mund të kishte luajtur një nga rolet më të rëndësishme të karrierës së tij shumë më herët. Në fillim të viteve ’90, aktori ishte në konsideratë për të interpretuar Charlie Chaplin në filmin biografik “Chaplin”, të regjisorit Richard Attenborough. Megjithatë, Depp e kuptoi që në takimin me regjisorin se nuk ishte zgjedhja e duhur për këtë rol.
Roli përfundimisht i shkoi Robert Downey Jr., interpretimi i të cilit i solli një nominim për Oscar për aktorin më të mirë. Depp më vonë tregoi se kishte pranuar të takohej me Attenborough kryesisht sepse dëshironte ta njihte regjisorin. Vetë Depp do të merrte më pas tri nominime për Oscar gjatë karrierës së tij, por deri më sot nuk e ka fituar çmimin.


