Tristan da Cunha, ishulli më i largët i banuar në botë, ndodhet 2,787 km larg Afrikës së Jugut dhe është shtëpia e një komuniteti të vogël që jeton në kushte të pazakonta. Kelly Green, e cila u zhvendos nga Britania e Madhe në ishull në vitin 2013, ndau përvojën e saj për Daily Mail.
Në ishull nuk ka asnjë aeroport dhe fluturime, ndërsa anijet e pasagjerëve mbërrijnë vetëm nëntë herë në vit. Ka një stacion policie me vetëm një oficer, por krimi është pothuajse inekzistent. “Nuk i mbyllim kurrë dyert e shtëpive, sepse ndihemi të sigurt,” thotë Kelly, duke shtuar se në Tristan nuk është regjistruar asnjë vrasje dhe pothuajse askush nuk është arrestuar ndër vite.
Jeta në Ishull: nga ushqimi deri te shëndetësia
Ishulli ka një spital të vogël, por trajtimet serioze kërkojnë transportim drejt Shën Helenës, e cila ndodhet 2,100 km larg, ose në Cape Town. Udhëtimi me anije drejt Cape Town-it zgjat rreth gjashtë ditë, dhe anijet transportojnë vetëm 12 pasagjerë njëherësh.
Pjesa më e madhe e ushqimit rritet në ishull, por mallrat e importuara, si çaji, kafeja, mielli dhe ëmbëlsirat, mbërrijnë nga Afrika e Jugut pas pritjes disa mujore. Çmimet janë të larta, ndërsa banorët nuk kanë të ardhura të mëdha.
Një komunitet i vogël dhe i lidhur
Banorët e Tristan da Cunha punojnë në profesione të ndryshme, nga mësues dhe infermierë deri te elektricistë dhe marangozë, ndërsa një pjesë e madhe merret me peshkim. Koha e lirë është e kufizuar, pasi pas punës ata kujdesen për bagëtinë dhe kopshtet e tyre.
Në ishull nuk ka restorante, por një dyqan dhe një kafene, e cila hapet gjatë fundjavës dhe është mjaft e frekuentuar nga vizitorët thotë Kelly.
Moti shpesh është sfidues, sidomos gjatë dimrit, kur erërat e forta detyrojnë banorët të jetojnë në bungalovë. Pavarësisht sfidave, jeta në ishull është unike dhe e qetë, ndërsa komuniteti ruan një mënyrë jetese të thjeshtë dhe të lidhur ngushtë me natyrën.