Jessie J ka ndarë me fansat lajmin emocionues se ka mposhtur kancerin e gjirit, një vit pasi zbuloi publikisht diagnozën e saj. Këngëtarja publikoi një video në Instagram gjatë kontrollit me rezonancë magnetike, ku shkroi: “Rezultatet erdhën dhe nuk kam më kancer!”.
Artistja e hitit Price Tag tregoi se kishte qarë për orë të tëra pasi mori lajmin dhe se për herë të parë pas një viti arriti të merrte frymë e qetë. Jessie J kishte zbuluar diagnozën në qershor të vitit të kaluar dhe më pas iu nënshtrua operacionit dhe trajtimeve shtesë, duke anuluar edhe disa data të turneut të saj.
Këngëtarja tha se vendosi të fliste hapur për sëmundjen për të ndihmuar edhe persona të tjerë që po kalojnë përvoja të ngjashme. Jessie J ka përballuar edhe më parë probleme serioze shëndetësore, përfshirë sëmundje të zemrës, goditje në tru në adoleshencë dhe humbje të përkohshme të dëgjimit. “Asgjë nuk më ka thyer”, deklaroi ajo, duke shtuar se çdo sfidë e ka bërë më të fortë si artiste dhe si njeri.


