Dizajnerja e njohur e bizhuterive Jennifer Meyer ka mirëpritur fëmijën e saj të tretë në moshën 49-vjeçare. Lajmin e bukur e ndau vetë përmes një postimi në rrjetet sociale, ku zbuloi se ka sjellë në jetë një vajzë.
Meyer publikoi një fotografi ku i fejuari i saj, Geoff Ogunlesi, mban në krahë të porsalindurën, duke e shoqëruar me fjalët: “Një muaj i përsosur me vajzën tonë të përsosur.”
Kjo është vajza e parë e çiftit. Meyer ka edhe dy fëmijë nga martesa e saj e mëparshme me aktorin Tobey Maguire – vajzën Ruby dhe djalin Otis. Pavarësisht divorcit të tyre në vitin 2020, ajo ka folur shpesh për marrëdhënien e shkëlqyer që vazhdon të ketë me ish-bashkëshortin dhe për bashkëprindërimin e suksesshëm.
Meyer dhe Ogunlesi u lidhën publikisht në vitin 2023 dhe shpallën fejesën në vitin 2024. Në fund të vitit 2025 ata njoftuan se po prisnin fëmijën e tyre të parë së bashku, një vajzë.
Në intervista të mëparshme, Jennifer Meyer kishte treguar se shtatzënia në moshën 49-vjeçare ishte një përvojë krejtësisht ndryshe nga dy shtatzënitë e para, por e kishte përshkruar si një periudhë të mbushur me gëzim, mirënjohje dhe emocion. Ajo madje e quajti këtë kapitull të jetës së saj një “përrallë që po bëhet realitet”.


