Kanë kaluar 150 vjet nga telefonata e parë në histori, dhe megjithëse sot është më e lehtë se kurrë të telefonosh dikë, shumë njerëz, sidomos të rinjtë po e shmangin gjithnjë e më tepër marrjen e telefonit. Mesazhet, emoji-t dhe komunikimi i shkruar u japin atyre kontroll, kohë për t’u menduar dhe ndjenjën se nuk po “ndërhyjnë” në jetën e tjetrit. Për këtë arsye, për shumëkënd, një telefonatë e paplanifikuar duket e sikletshme dhe invazive, ndaj preferohet paraprakisht një mesazh.
Por studimet tregojnë se kjo frikë është më shumë mendore sesa reale. Në momentin që biseda fillon, zëri krijon afërsi, ngrohtësi dhe lidhje shumë më të forta sesa çdo mesazh. Për tema të rëndësishme: lajme të mira, situata emocionale apo biseda delikate njerëzit ende duan të dëgjojnë njëri-tjetrin. Edhe në epokën e teknologjisë, ku tekstet dominojnë, telefonata mbetet ura më njerëzore e komunikimit.


