Njëzet vjet pasi mori pjesë në talent show-n “The X Factor”, këngëtari britanik DuaneAJ ka gjetur misionin e tij të vërtetë, të sjellë gëzim dhe emocione për të moshuarit në shtëpitë e kujdesit.
DuaneAJ, nga Cornwalli i Anglisë, arriti deri në fazën e bootcamp-it të Simon Cowell në vitin 2006 dhe më pas performoi në skenë me emra të njohur si East 17, 911 dhe The Cheeky Girls. Megjithatë, një ngjarje tragjike në vitin 2016, humbja e gjyshes së tij, e bëri të rishqyrtonte rrugën e jetës dhe karrierës së tij.
Pas kësaj, ai vendosi të këndojë në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit, ku sot viziton rreth pesë qendra çdo javë. Përmes muzikës, ai ndihmon banorët të rikthejnë kujtime, të këndojnë, të buzëqeshin dhe të lidhen sërish me njerëzit përreth. Sipas tij, momentet më prekëse janë kur persona që rrallë flasin fillojnë papritur të këndojnë këngët e rinisë së tyre.
Rreth dy vjet më parë, DuaneAJ nisi të publikojë videot e performancave të tij në TikTok, ku ka grumbulluar afro 100 mijë ndjekës. Videot janë bërë një burim ngushëllimi edhe për familjarët që jetojnë larg, pasi u mundësojnë të shohin të afërmit e tyre duke buzëqeshur dhe shijuar muzikën.
Edhe pse herë pas here përballet me komente negative në rrjetet sociale, këngëtari thotë se nuk do ta ndalë misionin e tij. “Nëse arrij t’i bëj dikujt ditën më të bukur ose t’i rikthej një kujtim të lumtur, atëherë kjo është ajo që ka më shumë rëndësi,” shprehet ai.


