Hulumtimet e fundit tregojnë se speciea e iriqit të detit Diadema africanum, që jeton në ujërat e Ishujve Kanarie, po zhduket me shpejtësi alarmante, me rënie që në disa zona tejkalojnë 99%. Këta iriqë luajnë një rol të rëndësishëm ekologjik duke kontrolluar rritjen e algave dhe duke mbështetur shkëmbinjtë koralorë, prandaj zhdukja e tyre prish ekuilibrin e jetës detare.
Një studim i publikuar tregon se një pandemi e panjohur që prek këtë specie është përhapur nga Karaibet deri në Oqeanin Indian dhe ka shkaktuar zhdukje masive edhe në Detin e Kuq, Mesdhe dhe Madeirë. Patogjeni ende nuk është identifikuar qartë, ndërsa studiuesit paralajmërojnë se situata mbetet e paqartë dhe potencialisht rrezikuese për ekosistemet që varen nga këta iriqë.


