Një ndryshim i rëndësishëm në mënyrën e lidhjes me internetin po vjen në Ballkan. Grupi hungarez i telekomunikacionit dhe teknologjisë 4iG ka nënshkruar marrëveshje me SpaceX për vendosjen e shërbimit Starlink Mobile, i cili mundëson lidhjen e telefonave celularë direkt me satelitët.
Teknologjia funksionon si një lloj “antenë celulare në hapësirë”. Telefonat që mbështesin LTE mund të lidhen me rrjetin satelitor pa pasur nevojë për antenë apo pajisje të posaçme Starlink. Qëllimi është që shërbimi të plotësojë rrjetet ekzistuese, sidomos në zonat malore, rurale apo vende ku sinjali tradicional është i dobët ose mungon.
Në fazën e parë, shërbimi komercial Starlink Mobile është planifikuar të nisë në Hungari dhe Shqipëri. Më pas, teknologjia e gjeneratës së re Starlink Mobile V2 është planifikuar të shtrihet edhe në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut. Afati konkret i aktivizimit do të varet nga kushtet teknike, rregullatore dhe komerciale në secilin treg.
Starlink Mobile V2 pritet të sjellë një hap edhe më të madh përpara, duke mundësuar internet me shpejtësi të lartë direkt në telefona dhe duke mbështetur lidhje 5G satelitore. Teknologjia synon që në të ardhmen përdoruesit të mund të bëjnë video-thirrje, të shikojnë përmbajtje online, të përdorin aplikacione dhe të komunikojnë edhe kur ndodhen jashtë mbulimit të rrjeteve tokësore.
Për momentin, Kosova nuk është përmendur në listën e vendeve ku është konfirmuar lansimi i Starlink Mobile V2.


