Aktorja britanike Hannah Waddingham ka dhënë një përgjigje të prerë në debatin e vazhdueshëm rreth së ardhmes së personazhit legjendar James Bond. Në një intervistë, ajo tha se nuk beson se agjenti 007 duhet të interpretohet nga një grua.
“Jo! Absolutisht jo! Një grua nuk ka nevojë të luajë James Bond. Ne kemi gjëra të tjera për të bërë,” u shpreh aktorja, duke theksuar se preferon role origjinale dhe komplekse femërore, në vend që personazhet ekzistuese të ndryshojnë gjini.
Waddingham, e cila luan rolin e një vrasëseje me pagesë në serialin e ri Ride or Die, tha se ajo tërhiqet nga personazhet femra që kanë thellësi emocionale dhe histori të forta, duke shtuar se këto role janë shumë më interesante për të si aktore.
Deklarata e saj vjen në një kohë kur vazhdojnë spekulimet se kush do të jetë aktori i ardhshëm që do të interpretojë James Bond, pas largimit të Daniel Craig nga roli i agjentit 007.


