Google ka pushuar më shumë se 100 punonjës brenda njësisë së saj të “cloud” dhe pushimet kanë prekur kryesisht pozicionet e dizajnit dhe ekipet e përgjegjshme për kërkimin e përvojës së përdoruesit.
Sipas dokumenteve të brendshme, pushimet janë bërë në fillim të kësaj jave në kuadër të ekipeve për kërkimin kuantitativ të përvojës së përdoruesit dhe ekipit për përvojën e platformës dhe shërbimeve.
Bëhet fjalë për specialistë që fokusohen në përdorimin e të dhënave, anketave dhe mjeteve të tjera për të kuptuar sjelljen e përdoruesve – një aspekt kyç për zhvillimin dhe dizajnimin e produkteve.
Ky veprim është pjesë e një strategjie më të gjerë të kompanisë që synon të zvogëlojë numrin e të punësuarve për të liruar burime që do të investohen në mënyrë prioritare në inteligjencën artificiale.
Disa nga ekipet e dizajnit në njësinë cloud thuhet se janë përgjysmuar, dhe shumica e të pushuarve punonin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një pjesë e punonjësve kanë afat deri në fillim të dhjetorit për të gjetur një pozicion të ri brenda kompanisë.
Gjiganti i teknologjisë ka ndërmarrë disa raunde shkurtime të stafit që nga fillimi i vitit. Ai ka ofruar paketa largimi vullnetar në shumë departamente dhe ka hequr më shumë se një të tretën e pozicioneve menaxheriale që mbikëqyrnin ekipe të vogla.
Së fundmi, kompania gjithashtu ka filluar të inkurajojë punonjësit të përdorin më shumë inteligjencën artificiale në punën e tyre të përditshme.
Qysh në gusht, drejtori ekzekutiv i Google, Sundar Pichai, njoftoi punonjësit se kompania do të duhet të “bëhet më efikase ndërsa zgjerohemi, në mënyrë që të mos e zgjidhim gjithçka vetëm përmes shtimit të stafit.”
Google nuk është e vetmja kompani e madhe teknologjike që po bën ristrukturime. Në muajin korrik, Microsoft pushoi 9000 punonjës në pozicione të ndryshme anembanë botës, dhe më herët edhe Meta kreu pushime të konsiderueshme.