Një anketë e re në SHBA ka zbuluar një trend të fortë global: njerëzit po shpenzojnë shumë më tepër kohë në telefon sesa mendojnë dhe shumica ndihen të mbingarkuar, të shqetësuar dhe të pakënaqur pas orëve të gjata para ekranit. Edhe pse Gjenerata Z është grupi që kalon më shumë kohë online, pikërisht të rinjtë po udhëheqin dëshirën për ndryshim – 63% e tyre duan të ulin në mënyrë drastike kohën në ekran, duke e lidhur atë me shëndetin mendor, produktivitetin dhe mirëqenien emocionale. Krahas tyre, 57% e mijëvjeçarëve dhe vetëm 29% e “baby boomers” shprehin të njëjtën dëshirë për shkëputje dixhitale.
Për t’i shpëtuar varësisë teknologjike, 84% e amerikanëve po rikthehen te jeta analoge: shënime me dorë, libra të printuar, kalendarë letre, lojëra tavoline dhe më shumë kohë me familjen, miqtë dhe natyrën. Sipas autorëve të studimit, njerëzit po kuptojnë se koha jashtë linje rrit qetësinë, ul ankthin dhe ndihmon në krijimin e lidhjeve të vërteta. Kjo lëvizje drejt balancimit të jetës digjitale me aktivitetet reale po shihet si një nga trendet më të shëndetshme të kohëve të fundit – një kujtesë se ndonjëherë largimi nga ekrani është mënyra më e mirë për t’u rikthyer tek vetja.

