Gërhitja e herëpashershme tek fëmijët është e zakonshme dhe zakonisht nuk përbën shqetësim. Megjithatë, nëse ndodh disa herë në javë, mund të jetë një shenjë e apnesë obstruktive të gjumit – një çrregullim serioz që shkakton ndërprerje të frymëmarrjes gjatë natës.
Çfarë e shkakton apnenë tek fëmijët?
Sipas Shoqatës profesionale të pediatërve në Gjermani rreth një në katër fëmijë gërhasin ndonjëherë. Megjithatë, kur gërhitja shoqërohet me pauza në frymëmarrje, ajo mund të ndikojë negativisht në presionin e gjakut, sistemin kardiovaskular, metabolizmin dhe imunitetin. Nivelet e ulëta të oksigjenit gjatë gjumit detyrojnë trupin të zgjohet për të rifilluar frymëmarrjen, duke ndikuar në cilësinë e gjumit dhe duke penguar fazën e thellë të tij (REM).
Disa faktorë që e rrisin rrezikun e apnesë tek fëmijët përfshijnë:
Alergjitë dhe problemet respiratore
Tonzilat ose adenoidet e zmadhuara
Polipet në hundë
Mbipesha
Muskuj e dobët të rrugëve të frymëmarrjes
Ekspozimi ndaj ndotësve ose duhanit
Sindroma Down (Trizomia 21)
Kur duhet të kërkoni ndihmë mjekësore?
Apnea e gjumit është më e zakonshme tek fëmijët nga dy deri në tetë vjeç, kur tonzilat dhe adenoidet rriten më shpejt. Shenjat që mund të tregojnë praninë e këtij çrregullimi përfshijnë:
Gërhitje të paktën tre net në javë
Vështirësi në frymëmarrje gjatë gjumit
Frymëmarrje me gojë gjatë natës
Zgjime të shpeshta ose gjumë jo të qetë
Dhimbje koke në mëngjes
Lodhje dhe përgjumje gjatë ditës
Probleme me përqendrimin apo sjelljen në shkollë
Nëse vini re këto simptoma tek fëmija juaj, rekomandohet të konsultoheni me një pediatër për një vlerësim të mëtejshëm. Trajtimi i hershëm mund të përmirësojë cilësinë e gjumit dhe shëndetin e përgjithshëm të fëmijës.