George dhe Amal Clooney janë detyruar të evakuojnë shtëpinë e tyre në jug të Francës, pasi zjarret masive që kanë përfshirë rajonin kanë vënë në rrezik zonën ku jetojnë. Çifti, së bashku me binjakët e tyre 9-vjeçarë, Alexander dhe Ella, u larguan nga prona në Brignoles ndërsa flakët vazhdojnë të përhapen.
Në një letër drejtuar kryetarit të komunës së Brignoles, George Clooney shkroi se ende nuk e dinë nëse shtëpia e tyre do t’i mbijetojë zjarrit.
“Në këtë moment nuk e dimë nëse shtëpia jonë e bukur do t’i mbijetojë kësaj tragjedie. Ndërsa largohemi nga Brignoles, duam të theksojmë dy gjëra: shpresojmë që ju dhe banorët e qytetit të jeni të sigurt dhe, pavarësisht se çfarë do të ndodhë, Amal dhe unë do të vazhdojmë të jemi pjesë e këtij komuniteti dhe të ndihmojmë në rindërtimin e tij. E duam Brignoles dhe miqtë tanë që jetojnë këtu”, thuhet në letrën e aktorit.
Çifti bleu pronën e tyre në vitin 2021, ndërsa vitin e kaluar ata dhe fëmijët e tyre morën edhe shtetësinë franceze. Prona, e ndërtuar në një vresht, vlerësohet të ketë kushtuar rreth 9 milionë euro.
Zjarret që kanë goditur Francën janë pjesë e një vale të madhe flakësh që po përfshin edhe vende të tjera evropiane si Spanja, Italia dhe Greqia. Autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e mijëra banorëve, ndërsa zjarrfikësit vazhdojnë betejën për të vënë situatën nën kontroll.


