Një studim i publikuar nga Instituti Kanadez për Shkencat e Shëndetit (ICES) tregon se personat e lindur rreth viteve 2000 janë dukshëm më të rrezikuar nga çrregullimet psiqike krahasuar me brezat e mëparshëm.
Analiza përfshiu të dhënat shëndetësore të rreth 12,2 milionë personave të lindur në Ontario mes viteve 1960–2009. Sipas gjetjeve, mes viteve 1997–2023 incidenca vjetore e çrregullimeve psikotike është rritur me 60% te të rinjtë 14–20 vjeç.
Gjetjet tregojnë gjithashtu se:
- Personat e lindur mes 2000–2004 kanë 70% më shumë diagnoza të reja krahasuar me ata të lindur 1975–1979.
- Brezi 1990–1994 ka rreth 37,5% më shumë gjasa për diagnozë sesa brezi i fundviteve ’70.
Studiuesit theksojnë se rritja mund të lidhet pjesërisht me diagnostikim më të mirë dhe qasje më të lehtë në shërbime shëndetësore, por nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar arsyet e plota.
Sipas raportit, diagnozat janë më të shpeshta te meshkujt dhe te personat që jetojnë në zona me të ardhura më të ulëta.


