Një 41-vjeçar nga Pinsdorf, Austri, i njohur më parë nga autoritetet për lidhje me ideologji neonaziste, është dënuar me një vit burg me kusht dhe 2.400 euro gjobë, pas zbulimit të armëve, materialeve të ndaluara dhe mbetjeve të rrezikshme ushtarake nga Lufta e Dytë Botërore.
Ndër sendet e gjetura kishte edhe shishe vere me etiketa që mbanin simbole dhe figura të periudhës naziste, të cilat i kishte fshehur paraprakisht tek miq për të shmangur zbulimin.
Gjatë bastisjes u zbuluan edhe dy granata tanku luftarake nga Lufta e Dytë Botërore. Për shkak të rrezikut të lartë, u angazhua njësia piroteknike e Ministrisë së Brendshme austriake.
Meqë mjetet shpërthyese nuk mund të transportoheshin në mënyrë të sigurt, ato u shkatërruan me shpërthim të kontrolluar në një gurore aty pranë.
41-vjeçari kishte tashmë shtatë dënime të mëparshme për raste të ngjashme. Ai u shpall fajtor për promovim të ideologjisë naziste dhe shkelje të ligjit për armët.
Veç kësaj, së fundmi është dënuar me 20 muaj burg për lëndim të rëndë trupor, nga të cilat gjashtë muaj pa kusht, pasi sulmoi një person në një incident të ndodhur në qershor. Ky vendim ende nuk është përfundimtar.


