Një hulumtim i ri i Gallup International tregon se 36% e njerëzve në botë janë shumë ose disi të shqetësuar se inteligjenca artificiale mund t’u rrezikojë vendin e punës. Studimi është realizuar në 61 shtete me rreth 60.500 pjesëmarrës dhe tregon se, megjithëse ekziston frikë, optimizmi ende mbizotëron lehtë, pasi 46% e të anketuarve thanë se nuk ndihen të kërcënuar nga AI.
Shqetësimi më i madh është regjistruar në vendet në zhvillim si Filipinet, India dhe Indonezia, ku shumë njerëz punojnë në sektorë që mund të automatizohen lehtë, si administrata dhe shërbimi ndaj klientit. Ndërkohë, vendet nordike si Suedia, Norvegjia dhe Danimarka tregojnë nivelin më të ulët të frikës, kryesisht për shkak të besimit më të madh në institucione dhe sistemet sociale.
Në rajon, shumica e qytetarëve besojnë se AI nuk do ta zëvendësojë plotësisht punën njerëzore. Në Serbi, 32% e qytetarëve thanë se janë të shqetësuar për vendin e tyre të punës, ndërsa 37% deklaruan se nuk kanë frikë nga ndikimi i inteligjencës artificiale. Kosova dhe Greqia u përmendën si përjashtime në rajon, me nivel më të lartë shqetësimi krahasuar me vendet fqinje.


