Sonte, SpaceX do të nisë testimin e 11-të të raketës më të madhe dhe më të fuqishme në histori – Starship, një hap vendimtar për misionet e ardhshme hënore dhe për ambiciet e udhëtimit drejt Marsit. Nisja pritet të bëhet nga baza Starbase në Teksas dhe do të zgjasë rreth një orë, me qëllim testimin e qëndrueshmërisë së mburojës termike dhe manovrave që simulojnë kthimin e pjesës së sipërme të raketës.
Raketa Super Heavy Booster do të ulet në Gjirin e Meksikës, ndërsa vetë Starship do të përfundojë në Oqeanin Indian. Ky test është thelbësor për programin Artemis të NASA-s, i cili synon uljen e njerëzve në Hënë deri në vitin 2027. Megjithatë, vonesat e mëparshme në zhvillimin e sistemit të uljes HLS kanë shtyrë afatet fillestare. Në të njëjtën kohë, SpaceX po përgatitet për qëllimin më të madh – krijimin e një kolonie të përhershme njerëzore në Mars, me fluturimet e para të planifikuara rreth vitit 2029.