Shkencëtarët kanë arritur të filmojnë për herë të parë në habitatin e tij natyror peshkaqenin goblin (Mitsukurina owstoni), një nga krijesat më të rralla dhe më misterioze të oqeanit. Zbulimi është publikuar në revistën shkencore Journal of Fish Biology.
Peshkaqeni u filmua gjatë një ekspedite pranë ishullit Jarvis në Oqeanin Paqësor, ndërsa një tjetër individ u regjistrua pranë Hendekut të Tongës, në një thellësi shumë më të madhe nga sa besohej më parë.
Kjo specie njihet për pamjen e saj të pazakontë dhe nofullën e zgjatshme, të cilën mund ta nxjerrë me shpejtësi deri në 3.1 metra në sekondë për të kapur prenë. Deri më tani, shkencëtarët e njihnin kryesisht nga ekzemplarët e ngordhur të kapur rastësisht nga peshkatarët në thellësi deri në 1.200 metra.
“Ta shihje këtë peshkaqen të gjallë, të shëndetshëm dhe në mjedisin e tij natyror ishte një privilegj i jashtëzakonshëm”, tha autori kryesor i studimit, Dr. Aaron Judd nga Universiteti i Hawait.
Peshkaqeni goblin mund të arrijë gjatësi deri në 3.6 metra dhe dallohet nga hunda e tij e gjatë e sheshtë, që i jep një pamje unike. Për shkak të rrallësisë së vëzhgimeve, ai konsiderohet një nga banorët më enigmatikë të thellësive të oqeanit, krahas kallamarit gjigant dhe peshkut fantazmë të Hendekut të Marianës.


