Aktori legjendar Jack Nicholson njihet për faktin se ka zgjedhur gjithmonë me kujdes rolet e tij, madje duke refuzuar edhe projekte të mëdha hollivudiane. Një nga to ishte filmi kult Close Encounters of the Third Kind i regjisorit Steven Spielberg.
Spielberg e kishte konsideruar Nicholson si kandidatin ideal për rolin kryesor të Roy Neary-t, një elektricist që bëhet i fiksuar pas një takimi me një objekt fluturues të paidentifikuar. Megjithatë, sipas burimeve të ndryshme, Nicholson e refuzoi ofertën sepse nuk dëshironte që interpretimi i tij të mbetej në hije të efekteve speciale që dominonin filmin.
Në atë periudhë, Nicholson ishte në kulmin e karrierës së tij pas suksesit të filmit One Flew Over the Cuckoo’s Nest dhe besohet se mendonte se aktorët duhej të ishin qendra e vëmendjes, jo teknologjia e filmit.
Pas refuzimit të tij, roli iu besua aktorit Richard Dreyfuss, i cili ishte aq i vendosur për ta fituar atë sa, sipas rrëfimeve të mëvonshme, bëri një “fushatë” të vërtetë për të bindur Spielbergun se ishte zgjedhja e duhur.
Filmi u shndërrua në një sukses të madh dhe mbetet edhe sot një nga veprat më të vlerësuara të zhanrit fantastiko-shkencor. Megjithatë, Nicholson nuk duket se është penduar për vendimin e tij, pasi në të njëjtën periudhë iu përkushtua edhe regjisurës, duke realizuar filmin Goin’ South.


