Studiuesit e German Aerospace Center kanë prezantuar një koncept të ri rakete super të fuqishme, që shihet si alternativa evropiane ndaj SpaceX dhe raketës së saj Starship. Projekti i ri, i quajtur RLV C5, synon të ofrojë kapacitete të mëdha transporti në orbitë duke përdorur një sistem pjesërisht të ripërdorshëm dhe më efikas në konsum të karburantit.
Ndryshe nga Starship, i cili përdor ulje vertikale dhe rikuperim të plotë të raketës, koncepti evropian parashikon që pjesa kryesore e raketës të rikthehet në Tokë duke fluturuar me krahë dhe më pas të kapet në ajër nga një avion special. Sipas studiuesve, kjo metodë kursen karburant dhe lejon që një pjesë më e madhe e peshës së raketës të përdoret për ngarkesë të dobishme.

Ekspertët theksojnë se Starship vazhdon të jetë shumë përpara pasi tashmë po kryen fluturime testuese, ndërsa projekti evropian ekziston ende vetëm në letër. Megjithatë, DLR beson se RLV C5 mund të jetë një hap strategjik për t’i dhënë Evropës qasje të pavarur në misionet e ardhshme hapësinore dhe transportin super të rëndë në orbitë.


