Eva Mendes, e njohur për ruajtjen me fanatizëm të privatësisë familjare, ka zbuluar se i qëndron strikt idesë që vajza e saj 11-vjeçare nuk duhet të ketë ende telefon. Në një postim në Instagram, ajo ndau një GIF ku refuzon vendosmërisht, duke shkruar se kjo është reagimi i saj sa herë që e bija kërkon telefon. Komentet e ndjekësve ishin plot mbështetje, duke e vlerësuar vendosmërinë e aktores dhe qëndrimin e saj se fëmijët duhet të mbeten fëmijë sa më gjatë.
Mendes prej kohësh shprehet kundër përdorimit të teknologjisë nga fëmijët. Ajo ka treguar se vajzat e saj nuk kanë qasje në internet dhe se nuk ka ndërmend të ndryshojë këtë rregull, duke e konsideruar internetin “tepër të rrezikshëm” për moshat e vogla. Ajo thotë se po i ndjek studimet një nga një dhe se qasjet si rrjetet sociale ndikojnë ndjeshëm te truri i fëmijëve. Për Mendes, interneti hyn në të njëjtën kategori si alkooli, patentat apo votimi: diçka për të cilën fëmijët nuk janë ende gati.


