Interpretuesit-artistë do të përkthejnë këngët e Eurovisionit në gjuhën ndërkombëtare të shenjave dhe do t’i shoqërojnë ato me një performancë të plotë skenike, që përfshin mimikë, lëvizje dhe elemente vallëzimi. Kjo iniciativë synon ta bëjë festivalin e Vjenës një përvojë të qasshme për personat e shurdhër dhe ata me dëgjim të dobët. Për këtë arsye, në kryeqytetin austriak u mbajt një kasting i veçantë, ku 13 artistë prezantuan mënyrën se si mund të shndërrojnë një këngë të tërë në gjuhën e shenjave, duke kaluar përtej përkthimit të thjeshtë të tekstit kënduar.
Nga ky grup do të përzgjidhen interpretuesit që do të performojnë gjatë Eurovisionit në maj, ndërsa para garës ata do të marrin pjesë në punëtori të posaçme kushtuar shprehjes artistike dhe fizike. “Performanca në gjuhën e shenjave” është konceptuar si një interpretim i pavarur artistik, që sjell emocionin dhe narrativën e këngës përmes gjuhës vizuale, duke e bërë festivalin më gjithëpërfshirës se kurrë.


