Meteorologët paralajmërojnë se bota mund të përballet me një fenomen të fuqishëm klimatik “Super El Niño”, i cili pritet të sjellë temperatura rekord dhe valë të forta të të nxehtit gjatë këtij dhe vitit të ardhshëm. Sipas ekspertit kroat të fizikës atmosferike, Branko Grisogono, Evropa mund të regjistrojë temperatura mbi 40 gradë Celsius për disa ditë radhazi.
Fenomeni El Niño lidhet me rritjen e temperaturës së oqeanit Paqësor dhe ndikon drejtpërdrejt në klimën globale. Grisogono thekson se këtë herë efekti i tij po kombinohet me ngrohjen globale të shkaktuar nga aktiviteti njerëzor, duke krijuar kushte për ekstreme të reja klimatike. “Po shkojmë drejt pikës së vlimit”, deklaroi ai.
Ekspertët paralajmërojnë se përveç vapës ekstreme, priten edhe stuhi të forta, reshje intensive dhe përmbytje. Sipas tyre, reshjet e mëdha po bëhen gjithnjë e më shkatërruese dhe më pak të dobishme për bujqësinë, pasi uji largohet shpejt dhe shkakton rrëshqitje dheu e dëme infrastrukturore.


