Çdo vit më 1 prill, miliona njerëz në mbarë botën festojnë Ditën e Gënjeshtrave, një ditë ku humorit dhe lojërave pa qëllim të keq u jepet “dritë jeshile”. Edhe pse është një nga traditat më të përhapura, origjina e saj mbetet ende një mister, me disa teori që e lidhin me ndryshimin e kalendarit në Francën e shekullit të 16-të ose me festa të lashta romake ku njerëzit maskoheshin dhe talleshin me njëri-tjetrin .
Me kalimin e kohës, kjo ditë është shndërruar në një fenomen global, me zakone të ndryshme nga një vend në tjetrin, nga “peshqit e prillit” në Francë, te shakatë që duhet të përfundojnë para mesditës në Britani. Edhe mediat dhe kompanitë janë bërë pjesë e kësaj tradite, duke krijuar “lajme” apo produkte të rreme që shpesh bëhen virale. Pavarësisht ndryshimeve, thelbi mbetet i njëjtë: një ditë për të qeshur, për t’u lidhur me të tjerët dhe për të harruar për pak stresin e përditshëm .


