Shikuesit nuk do ta shohin së shpejti Daniel Craig në rolin e një superheroi të DC Comics. Sipas burimeve ndërkombëtare, aktori është tërhequr nga projekti i ri i bazuar në stripin “Sgt. Rock”, i cili do të ishte pjesë e planeve për rindërtimin e universin kinematografik të DC-së nga James Gunn dhe Peter Safran.
Personazhi Franklin John Rock, i krijuar nga Robert Kanigher dhe Joe Kubert në vitin 1959, është një ushtar që luftoi gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe u bë aq popullor sa u shfaq edhe në seri të tjera të DC-së, përfshirë një periudhë si lider i Suicide Squad.
Filmi do të shënonte një tjetër bashkëpunim mes Daniel Craig dhe regjisorit Luca Guadagnino, pas punës së tyre të mëparshme në filmin Queer. Sipas Hollywood Reporter, arsyet e largimit të Craig nga projekti mbeten të paqarta, por spekulohet se mund të jenë të lidhura me angazhimet profesionale të bashkëshortes së tij, Rachel Weisz.
Adaptimi i Sgt. Rock ka qenë në planet e DC-së prej kohësh, dhe për rolin kryesor më parë janë konsideruar edhe aktorët Bruce Willis dhe Arnold Schwarzenegger. Pasi Luca Guadagnino mori drejtimin e projektit, zhvillimet u përshpejtuan, dhe aktualisht DC është në kërkim të një aktori të ri për protagonistin.