Edhe pse sot duket normale që yjet e Hollywood-it të jenë të njohur me emrat e tyre të vërtetë, shumë prej tyre në fakt kanë ndërtuar karrierën mbi emra skenik. Kjo praktikë ka qenë e zakonshme për dekada qoftë për arsye estetike, praktike apo thjesht për të krijuar një identitet më tërheqës për publikun. Njëri prej shembujve më të famshëm është John Wayne, i lindur me emrin Marion Robert Morrison, një emër që studiot e filmave e konsideruan “jo mjaftueshëm filmik”. Regjisori Raoul Walsh, i cili e zbuloi Morrisonin në fund të viteve 1920, së bashku me drejtuesit e studios, vendosën t’i jepnin një identitet të ri të frymëzuar nga gjenerali amerikan Anthony Wayne. Kështu lindi emri John Wayne, që më vonë u bë sinonim i filmave perëndimorë.
Shumë aktorë të tjerë kanë ndjekur të njëjtin rrugëtim, mes tyre Jamie Foxx, Brad Pitt, Natalie Portman, Whoopi Goldberg dhe Joaquin Phoenix. Shpesh arsyeja ishte praktike, pasi rregullat e bashkimit të aktorëve nuk lejojnë dy persona të regjistrohen me të njëjtin emër, ndërsa në raste të tjera emri i ri thjesht tingëllonte më i fuqishëm. Për John Wayne, ndryshimi i emrit rezultoi vendimtar: ai u shndërrua në një ikonë të kinemasë amerikane dhe fitoi një Oscar. Emri i tij i ri nuk ishte thjesht një zgjedhje marketingu ai krijoi një legjendë të përjetshme të ekranit.


