Aktori i njohur turk Can Yaman, protagonist i serialit “Sandokan”, ka zbuluar në një intervistë për mediat italiane se ka prejardhje shqiptare. Ai tregoi se nëna e tij është me origjinë nga Kosova, ndërsa babai vjen nga një familje shqiptare që është shpërngulur herët drejt Turqisë. Yaman u rrit në Suadiye, një lagje të Stambollit të banuar kryesisht nga pasardhës emigrantësh, ku gjyshërit e tij flisnin shqip mes tyre.
I pyetur nëse ai vetë di gjuhën shqipe, aktori u shpreh se nuk e flet, pasi është rritur si “një djalë tipik i Stambollit”, mes kulturave të ndryshme që bashkëjetojnë në Turqi. Ai theksoi se vendi ka një histori të gjatë migracioni dhe shumëllojshmërie kulturore, ndërsa çdo individ mund të zgjedhë vetë drejtimin e tij kulturor — qoftë më perëndimor, qoftë më lindor.


