Rreth 700,000 gra në Britaninë e Madhe do të marrin pjesë në një studim të gjerë të Shërbimit Kombëtar të Shëndetësisë (NHS) për aplikimin e inteligjencës artificiale (AI) në skriningun e kancerit të gjirit, raporton BBC.
Qëllimi është përmirësimi i shpejtësisë së diagnostikimit dhe lehtësimi i ngarkesës për radiologët. Studimi, i cili nis në prill, ka një buxhet prej 11 milionë paundësh dhe do të përdorë pesë platforma të AI-së për analizën e mamografive.
Aktualisht, analizat shqyrtohen nga dy radiologë, por AI mund të ndihmojë në përshpejtimin e procesit duke lejuar që vetëm një specialist të përfundojë vlerësimin, çka do të shkurtonte kohën e pritjes për pacientet.
Ndërkohë, Kolegji Mbretëror i Radiologëve ka paralajmëruar se teknologjia nuk do të zgjidhë mungesën e specialistëve, pasi në Britani ka një deficit prej 30% të radiologëve. Megjithatë, ekspertët e shëndetësisë e konsiderojnë këtë studim si një hap të madh përpara në përmirësimin e kujdesit ndaj pacientëve.