Aktorja e njohur franceze Brigitte Bardot, 91 vjeçe, ka njoftuar përmes një deklarate të shkruar se është në fazë rikuperimi pas një ndërhyrjeje të vogël kirurgjikale të kryer në tetor, duke kërkuar që publiku të respektojë privatësinë e saj gjatë kësaj periudhe. Deklarata u publikua nga Fondacioni “Brigitte Bardot”, i cili u bëri thirrje ndjekësve të saj të tregojnë qetësi dhe mirëkuptim.
Së fundmi u raportua se aktorja ishte shtruar sërish në spital në Tulon, një muaj pas ndërhyrjes së parë. Fondacioni theksoi se Bardot dëshiron t’i sigurojë të gjithë ata që janë sinqerisht të shqetësuar për gjendjen e saj, duke përcjellë mesazhin: “Ju dërgoj gjithë dashurinë time!”. Pas tërheqjes nga kinemaja në vitet ’70, ajo është përkushtuar plotësisht mbrojtjes së kafshëve, duke ndarë kohën mes rezidencës së saj në Saint-Tropez dhe shtëpisë La Garrigue, ku strehohen shumë kafshë.


