Bradley Cooper dhe Gigi Hadid kanë nxitur spekulime se mund të jenë martuar në fshehtësi, pasi u fotografuan në Paris duke mbajtur unaza të ngjashme në gishtin e martesës.
Sipas Page Six Style, bëhet fjalë për unaza të markës franceze të luksit Boucheron. Gigi Hadid kishte zgjedhur modelin “Quatre Radiant Edition”, të punuar në ar të verdhë dhe të zbukuruar me një vijë delikate diamantesh. Çmimi i saj raportohet të jetë rreth 6.450 dollarë.
Bradley Cooper, ndërkaq, mbante modelin “Godron” në ar rozë, me dizajn prej dy rrathësh të bashkuar. Unaza kushton afërsisht 2.120 dollarë dhe nga kompania përshkruhet si simbol i dashurisë së përjetshme dhe i lidhjes mes dy personave.
Megjithëse bizhuteritë konsiderohen zyrtarisht unaza martese, përfaqësuesit e çiftit nuk kanë konfirmuar nëse Cooper dhe Hadid e kanë kurorëzuar lidhjen e tyre.
Aktori 51-vjeçar dhe modelja 31-vjeçare janë në lidhje që nga fundi i vitit 2023. Prej muajsh qarkullojnë raportime se ata po mendojnë seriozisht për martesë dhe krijimin e një familjeje të përbashkët.


