Figura më të mëdha të modës, artistë, bashkëpunëtorë dhe mijëra admirues u mblodhën sot në Romë për t’i bërë homazhe Valentino Garavanit, mjeshtrit legjendar italian që ndërtoi një prej perandorive më elegante të haute couture. Pas tri ditësh të homazheve publike në hapësirën muzeale PM23 të Fondacionit Valentino Garavani, arkivoli u dërgua sot në Bazilikën monumentale të Shën Marisë së Engjëjve dhe Martirëve – një hapësirë e dizajnuar nga vetë Michelangelo – ku u zhvillua ceremonia zyrtare mortore.
Në mesin e të ftuarve ndodheshin emra të shquar si Anne Hathaway, Olivia Palermo, Anna Wintour, Tom Ford, Maria Grazia Chiuri, Alessandro Michele dhe Pierpaolo Piccioli, të cilët erdhën për të nderuar ikonën që për më shumë se gjysmë shekulli i dha formë elegancës italiane. Qytetarë të shumtë u rreshtuan jashtë bazilikës, shumë prej tyre të veshur me të kuqe – ngjyra simbol e trashëgimisë Valentino-s. Kurorat me lule të bardha, pankartat e adhuruesve dhe prania e personaliteteve nga e gjithë bota e modës e kthyen këtë ceremoni në një tribut të denjë për një nga “mbreterit e fundit të modës”, i cili la një gjurmë të përjetshme në historinë e stilit dhe artit.

