Ikona botërore dhe ylli i popit amerikan Beyoncé ka dhuruar plot 2,5 milionë dollarë përmes fondacionit të saj “BeyGood Foundation” për të ndihmuar viktimat e zjarreve shkatërruese në Los Anxhelos.
Fondet do të shkojnë për familjet në komunitetet e prekura Altadena dhe Pasadena, të cilat kanë humbur shtëpitë e tyre. Përveç kësaj, donacione do të marrin edhe kishat dhe qendrat komunitare lokale që po u ofrojnë ndihmë viktimave të kësaj fatkeqësie natyrore.
„Los Anxhelos, jemi me ju“ – ka deklaruar fondacioni i Beyoncé-s në një postim emocional në Instagram të shtunën mbrëma.
Zjarret e javës së kaluar në Los Anxhelos morën të paktën 24 jetë, ndërsa meteorologët paralajmërrojnë se erërat e fuqishme që pritet të fryjnë në ditët në vijim mund të përkeqësojnë situatën.
Beyoncé u shpreh publikisht pas humbjes së shtëpisë së së ëmës Tina Knowles në Malibu, duke iu bashkuar listës së gjatë të personazheve të njohur që gjithashtu pësuan humbje, si Anthony Hopkins, Billy Crystal dhe Paris Hilton.
Ky gjest i madh i Beyoncé-s edhe një herë tërheq vëmendjen ndaj saj, jo vetëm si një yll muzikor, por edhe si një humaniste e vërtetë që gjithmonë është gati të ndihmojë ata që janë në nevojë.