Kompania Mattel ka prezantuar zyrtarisht Barbien e parë autike brenda linjës “Fashionistas”, me synimin që fëmijët në mbarë botën të shohin veten dhe përvojat e tyre të përfaqësuara në lojëra. E zhvilluar në bashkëpunim me organizatën “Autistic Self Advocacy Network”, kukulla është dizajnuar për të reflektuar disa karakteristika të zakonshme te fëmijët në spektrin e autizmit: kontakt vizual të shmangur, lëvizje vetërregulluese si tundja e krahëve, si dhe pajisje ndihmëse si kufje që reduktojnë zhurmën, unazë antistres dhe tabletë me simbole komunikimi.
Me këtë model të ri, Barbie vazhdon të zgjerojë gamën e saj të përfshirjes, duke iu bashkuar kukullave me diabet të tipit 1, sindromën Down, karrige me rrota, aparate dëgjimi dhe vitiligo. Sipas Mattel, objektivi është i qartë: çdo fëmijë duhet të ndihet i përfaqësuar. Ekspertët e autizmit e kanë mirëpritur nismën, duke theksuar se kjo kukull mund të ndihmojë në thyerjen e paragjykimeve dhe në rritjen e ndërgjegjësimit për vajzat autike, të cilat shpesh diagnostikohen më vonë se djemtë.


