Ndërkohë që përballemi me ndryshimet klimatike, kërcënimin bërthamor dhe dezinformimin, Ora e Apokalipsit, simbol i kataklizmës globale që nga viti 1947, është shtyrë sot për një sekondë më afër mesnatës, sipas Buletinit të Shkencëtarëve Bërthamorë (BSA). Ky grup shkencëtarësh, që menaxhon këtë projekt simbolik që nga viti 1947, ka vendosur kohën e re – 89 sekonda përpara mesnatës. “Ora e Apokalipsit është më afër katastrofës se kurrë më parë në historinë e saj,” tha ish-presidenti i Kolumbisë, Huan Manuel Santos, kryetar i grupit “The Elders”. Ai theksoi se Ora reflekton kërcënimet egzistenciale me të cilat përballet bota dhe nevojën për unitet dhe udhëheqje të guximshme për të kthyer akrepat mbrapsht.
Rregullimi i ri i Orës së Apokalipsit vjen një javë pas inaugurimit të Donald Trump, i cili tashmë ka shkelur disa norma të bashkëpunimit ndërkombëtar. Santos mirëpriti premtimet e presidentit të ri të SHBA-së për të përdorur diplomacinë me Rusinë dhe Kinën, por dënoi tërheqjen e tij nga Marrëveshja e Klimës së Parisit dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ekspertët kanë paralajmëruar gjithashtu për përkeqësimin e ndikimeve të ndryshimeve klimatike në planet, pas një viti tjetër rekord të temperaturave të larta. Santos bëri thirrje për veprime të menjëhershme kundër dezinformimit dhe përhapjes së teorive të konspiracionit, të cilat janë bërë aq të përhapura në një botë hiper të lidhur. “Ky rritje alarmante e mosbesimit është nxitur kryesisht nga përdorimi i keqdashës dhe i pamenduar i teknologjive të reja, të cilat ende nuk i kuptojmë plotësisht,” shtoi ai.
Ora e Apokalipsit u ndryshua për herë të fundit në vitin 2023, kur u zhvendos për 10 sekonda, në 90 sekonda para mesnatës, pas invazionit rus në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, duke qenë se Rusia posedon armë bërthamore. E krijuar shpejt pas fillimit të Luftës së Ftohtë, Ora e Apokalipsit është azhurnuar rregullisht nga shkencëtarët e BSA-së, të Universitetit të Çikagos, që nga viti 1947. Mesnata simbolizon fundin e botës, dhe shkencëtarët përdorin analogjinë e numërimit të kohës deri në mesnatë për të paralajmëruar për rreziqet nga kërcënimet bërthamore, ekologjike dhe teknologjike. Rregullimi i parë ishte vendosur në shtatë minuta para mesnatës.