Në Qendrën Gjermane për Aeronautikë dhe Hapësirë (DLR) ka nisur një studim ku vullnetarët qëndrojnë 60 ditë të shtrirë në një shtrat të pjerrët 6°, për të imituar efektet e mikrogravitetit në trup. Projekti realizohet në bashkëpunim me NASA-n dhe pjesëmarrësit paguhen 18,000 euro.
Qëllimi është të kuptohet pse astronautët pas misioneve kanë probleme me ekuilibrin dhe koordinimin, si edhe cilat ushtrime minimale mund t’i mbrojnë nga dëmtimet senzomotore. Në studim ka dy grupe: njëri qëndron vetëm shtrirë, ndërsa tjetri kryen ushtrime të lehta pa u ngritur nga shtrati.
Gjatë qëndrimit në këtë pozicion, trupi pëson ndryshime të ngjashme me ato në hapësirë: ulje të masës muskulore, dobësim të ekuilibrit dhe zhvendosje të lëngjeve drejt kokës. Rezultatet pritet të ndihmojnë përgatitjen e astronautëve për misionet e ardhshme në Hënë dhe stacionet orbitale.

