Këngëtarja amerikane Ariana Grande ka kritikuar ashpër administratën e presidentit Donald Trump pasi Shtëpia e Bardhë përdori një nga këngët e saj në një video promovuese për politikën e emigracionit.
Reagimi erdhi pasi në llogarinë zyrtare të Shtëpisë së Bardhë në TikTok u publikua një video ku shfaqeshin agjentë federalë duke arrestuar dhe prangosur persona, ndërsa në sfond dëgjohej kënga “Bye”, pjesë e albumit të Grande të publikuar në vitin 2024.
“Ju lutem, mos e përdorni kurrë muzikën time në lidhje me këto marrëzi barbare, çnjerëzore dhe të neveritshme”, shkroi Grande në seksionin e komenteve të videos.
Sipas burimeve pranë artistes, ekipi i saj ligjor po shqyrton mundësitë për të kërkuar largimin e këngës nga materiali i publikuar.
Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë iu përgjigj kritikave përmes zëdhënëses Abigail Jackson, e cila deklaroi se “ajo që është vërtet barbare, çnjerëzore dhe e neveritshme janë kriminelët që kanë hyrë ilegalisht në vend dhe kanë dëmtuar qytetarë amerikanë”.


