Një raport i ri mbi konsumin e alkoolit dhe ndikimin e tij në shëndet paralajmëron se nuk ekziston asnjë nivel i sigurt i konsumimit të alkoolit. Sipas studimeve të publikuara, alkooli është i lidhur me rrezikun e zhvillimit të disa llojeve të kancerit, sidomos kancerit të gjirit tek gratë, si dhe kancereve të sistemit tretës. Raporti vë në dukje se alkooli është përgjegjës për rreth 100,000 raste kanceri dhe 20,000 vdekje nga kanceri çdo vit në SHBA.
“Ky grumbull provash shkencore tregon një lidhje shkakore midis konsumit të alkoolit dhe rritjes së rrezikut të të paktën shtatë llojeve të ndryshme të kancerit, përfshirë kancerin e gjirit (tek gratë), zorrës së trashë, ezofagut, mëlçisë, gojës, fytit dhe laringut,” thuhet në raport.
Konsumi i alkoolit dhe rreziku i shtuar i kancerit
Raporti gjithashtu thekson se sa më shumë alkool konsumohet, aq më i madh është rreziku për zhvillimin e kancerit. Për disa lloje kanceri, si kanceri i gjirit, gojës dhe fytit, rreziku mund të fillojë të rritet edhe me konsumimin e një ose më pak se një pije në ditë.
Këshillat shëndetësore mbi konsumin e alkoolit shpesh kanë qenë të përziera. Në disa raste, studimet kanë treguar se konsumimi i moderuar mund të ketë disa përfitime për shëndetin, por raportet e reja theksojnë dëmin që alkooli shkakton, sidomos në lidhje me kancerin. Përkundër faktit që udhëzimet dietike amerikane sugjerojnë kufizimin e konsumit në një ose dy pije në ditë për burrat dhe një ose më pak për gratë, raporti i ri thotë se edhe kjo sasi është e tepruar.
“Në vitin 2019, u vlerësua se rreth 96,730 raste kanceri ishin të lidhura me konsumimin e alkoolit, duke përshirë 42,400 raste tek burrat dhe 54,330 tek gratë,” thuhet në raport. Po ashtu, në vitin 2020, numri global i rasteve të kancerit të lidhura me alkoolin arriti në 741,300, nga të cilat 185,100 raste ishin rezultat i konsumimit të rreth dy pijeve ose më pak në ditë.
Si ndikon alkooli në zhvillimin e kancerit?
Sipas raportit, alkooli mund të rrisë rrezikun e kancerit në katër mënyra kryesore:
- Duke shkaktuar stres oksidativ që dëmton ADN-në dhe proteinat.
- Duke ndryshuar nivelet hormonale, gjë që rrit ndjeshëm rrezikun e kancerit të gjirit.
- Duke rritur shpejtësinë e përthithjes së substancave kancerogjene nga trupi.
- Duke u shndërruar në një substancë toksike të quajtur acetaldehid, e cila gjithashtu dëmton ADN-në.
Raporti zbulon se lloji më i zakonshëm i kancerit të lidhur me alkoolin në SHBA është kanceri i gjirit tek gratë, me rreth 44,180 raste të raportuara në vitin 2019, që përfaqësojnë 16.4% të rasteve totale të kancerit të gjirit.
Rritja e ndërgjegjësimit dhe masat e reja
Qëllimi i këtij raporti është të rrisë ndërgjegjësimin mbi lidhjen midis konsumit të alkoolit dhe kancerit, pasi pothuajse gjysma e të rriturve në SHBA nuk janë të vetëdijshëm për këtë lidhje. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e klasifikon alkoolin si një kancerogjen të grupit 1, së bashku me substanca si formaldehidi, rrezatimi jonizues, duhani, mishi i përpunuar dhe asbesti.
Gjatë këtij viti pritet që të azhurnohen udhëzimet dietike amerikane. Zyra e Kryemjekut gjithashtu rekomandon që etiketat paralajmëruese në pijet alkoolike të përditësohen, duke përshirë informacione mbi rrezikun e kancerit dhe të intensifikohen përpjekjet edukative në shkallë globale, në mënyrë që individët të marrin vendime të informuara bazuar në provat më të fundit shkencore.