Sot në emisionin “Ritme Verore”, ekskluzivisht për Radio Vala Rinore, artisti i mirënjohur dhe i dashur për të gjitha gjeneratat, Afrim Muçiqi, ndau disa nga momentet më të rëndësishme të rrugëtimit të tij muzikor. Ai foli për këngën që i solli suksesin më të madh dhe emocionet e veçanta që përjetoi kur publiku e pranoi me kaq dashuri.
Afrim Muçiqi ndër tjerash zbuloi se po punon për projekte të reja muzikore, të cilat pritet të publikohen së shpejti, ndërsa vera e tij kalon mes pushimeve dhe koncerteve. “Pas kaq vitesh në skenë, dashuria për muzikën dhe për publikun më mban gjithmonë aktiv. Unë vetëm sa kam filluar tani,” theksoi ai gjatë intervistës.
Një nga momentet më të paharrueshme për Afrim Muçiqi ka qenë një koncert në qytetin e tij të lindjes, Podujevë, ku publiku këndoi në një zë të gjitha hitet e tij, sidomos të rinjtë, gjë që e emocionoi dhe i dha motivim për të vazhduar. Për të ardhmen, Afrim premton të sjellë këngë të reja që lidhen me zemrën e publikut dhe të mbetet i pranishëm në skenë për shumë vite të tjera.


