Djersitja është një reagim normal i trupit ndaj temperaturave të larta, por disa ushqime mund ta nxisin edhe më shumë këtë proces. Gjatë verës, është e rëndësishme të dimë cilat janë këto ushqime për të shmangur ndjesitë e pakëndshme dhe lagështinë e tepërt.
Ushqimet e kripura si sallamet, patatinat, supat e gatshme dhe ushqimet në konservë e detyrojnë trupin të nxjerrë lëngje përmes djersës, duke përkeqësuar gjendjen. Po ashtu, kafeina rrit presionin e gjakut dhe stimulon gjëndrat e djersës, ndërsa ushqimet pikante si speci djegës dhe ushqimet me shumë proteina kërkojnë më shumë energji për t’u tretur, gjë që rrit temperaturën e brendshme të trupit dhe për pasojë djersitjen. Për një verë më të freskët, kujdes me menynë!