Australia ndezi debat global pasi vendosi ndalimin e rrjeteve sociale për personat nën 16 vjeç, një masë që disa media e quajtën “eksperiment social gjigant”. Tani, modele të ngjashme po shqyrtohen edhe nga vende të tjera, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar. Kryeministri britanik Keir Starmer është shprehur i hapur për një ndalim të tillë, duke theksuar shqetësimet për kohën e tepërt që fëmijët kalojnë në telefona, efektet negative në shëndetin mendor dhe rreziqet online. Ai tha gjithashtu se nxënësit nuk duhet të përdorin telefona inteligjentë në shkolla, ndërsa qeveria po analizon në detaje modelin australian.
Ndryshimi i qëndrimit politik në Londër vjen në një kohë kur rritet presioni publik për të mbrojtur të rinjtë nga varësia digjitale, algoritmet që krijojnë varësi, ngacmimi online dhe rreziqet e manipulimit. Edhe pse disa ministra më herët kundërshtuan idenë e kufizimeve të tilla, ndalimi australian ka forcuar debatin. Ministri i Shëndetësisë, Wes Streeting, deklaroi se edhe britanikët ndajnë të njëjtat shqetësime si Australia- nga dëmet në shëndetin mendor te rreziku i “grooming”-ut dhe rekrutimi ekstremist- duke hapur rrugën për ndryshime të mundshme ligjore në Mbretërinë e Bashkuar.

