Themeluesi i Amazonit, Jeff Bezos, shprehu besimin se Elon Musk nuk do të shfrytëzojë lidhjet e tij me presidentin e sapo zgjedhur Donald Trump për të dëmtuar kompaninë e tij hapësinorë, Blue Origin. “Elon ka qenë i qartë se vepron për interesin publik dhe jo për përfitime personale,” tha Bezos në një intervistë për Reuters.
Këto deklarata u bënë në Cape Canaveral, Florida, ku Blue Origin po përgatitet për lëshimin e raketës së re “New Glenn”. Ky projekt pritet të rivalizojë SpaceX dhe të ndryshojë tregun e lëshimit të satelitëve.
Ndërkohë, Musk ka sugjeruar dërgesa të drejtpërdrejta për në Mars, duke ngritur shqetësime mbi programin aktual të NASA-s. Bezos u shpreh: “Duhet të vazhdojmë si me programin për Hënën, ashtu edhe me synimet për Marsin.” Blue Origin ka një kontratë me NASA-n prej 3 miliardë dollarësh për misione në Hënë deri në fund të dekadës.