Policia britanike po heton një rast të dyshuar vjedhjeje në Anmer Hall, rezidencën familjare të princit William dhe Kate Middleton, që ndodhet në pronën mbretërore Sandringham, në lindje të Anglisë. Në momentin e incidentit, çifti mbretëror dhe tre fëmijët e tyre nuk ndodheshin në rezidencë.
Sipas informacioneve të fundit të Reuters, policia ka arrestuar dy persona të dyshuar, ndërsa gjatë operacionit të kërkimit janë përdorur dronë, helikopter dhe qen policorë. Hetimet vazhdojnë, ndërsa përfaqësuesit e princit William kanë refuzuar të komentojnë çështjet e sigurisë.
Rezidenca me dhjetë dhoma gjumi ishte dhuratë martese nga mbretëresha Elizabeth II në vitin 2011. Familja e përdor atë kryesisht për pushime, ndërsa banesa e tyre kryesore ndodhet në pronën e kështjellës Windsor.


