Këngëtari i njohur britanik Sting publikoi në vitin 1991 albumin The Soul Cages, një nga veprat më personale të karrierës së tij. Albumi lindi nga dhimbja pas humbjes së babait, me të cilin kishte pasur një marrëdhënie të ndërlikuar.
Sting ka treguar se vdekja e të atit e kishte goditur rëndë, duke e lënë të paralizuar emocionalisht dhe kreativisht. Përmes muzikës, ai u përpoq të shprehte ndjenjat dhe fjalët që nuk kishte arritur t’ia thoshte babait sa ishte gjallë.
Edhe pse albumi nuk arriti suksesin komercial të disa prej projekteve të tjera, për Sting mbeti një përvojë e rëndësishme emocionale. Këngë si Why Should I Cry for You? pasqyrojnë dhimbjen, kujtimet dhe përpjekjen e tij për të gjetur paqe me të kaluarën.


