Gazetarja e njohur Christiane Amanpour ka njoftuar se do të largohet nga CNN në qershor të vitit 2027. Në moshën 68-vjeçare, ajo tha se vendimi erdhi pas muajsh reflektimi dhe falënderoi kolegët që e kanë shoqëruar gjatë karrierës. Amanpour u bë një nga figurat më të njohura të gazetarisë ndërkombëtare përmes raportimeve nga luftërat dhe intervistave me udhëheqës botërorë. Ajo shprehu mirënjohje të veçantë për ekipet me të cilat ka punuar në terren.
Nga janari 2027, emisioni i saj në CNN International do të transmetohet një herë në javë, deri në përfundimin e tij në maj. Ndërkohë, programi “Amanpour & Company” në PBS do të përfundojë në dhjetor të këtij viti. Gazetarja do të vazhdojë podkastin “The Ex Files”, me ish-bashkëshortin Jamie Rubin dhe synon projekte të reja. Drejtuesi i CNN, Mark Thompson, vlerësoi kontributin e saj shumëvjeçar, duke e cilësuar si një nga gazetaret më të besuara dhe më të dashura.


