Halle Berry, 60 vjeçe, ka folur hapur për plakjen dhe ndryshimet që po vëren në pamjen e saj. Gjatë një aktiviteti në Los Angeles, aktorja tha se çdo ditë kur shikon veten në pasqyrë vëren diçka të re, por tashmë po përpiqet t’i pranojë këto ndryshime si pjesë normale të jetës.
Fituesja e Oscarit tha se është krenare që mund ta pranojë fytyrën dhe trupin e saj pa u përpjekur të ndryshojë çdo shenjë të moshës me ndërhyrjet që sot janë në dispozicion. Për të, plakja është një proces natyror dhe identiteti i një gruaje është shumë më tepër sesa vetëm pamja e jashtme.
Berry foli gjithashtu për menopauzën dhe shëndetin e grave, tema për të cilat është angazhuar gjithnjë e më shumë publikisht. Ajo ka treguar se më parë mjekët e saj pothuajse nuk i kishin folur për menopauzën dhe ndryshimet hormonale, pavarësisht se këto ndryshime ndodhin edhe kur një grua duket dhe ndihet mirë nga jashtë.


