Përdorimi gjithnjë e më i madh i inteligjencës artificiale në kompani mund të sjellë edhe një rol të ri: RR, Robot Relations. Ideja është që, krahas burimeve njerëzore (HR), të ekzistojë një funksion që merret posaçërisht me marrëdhëniet mes punonjësve dhe sistemeve të AI-së, chatbotëve, modeleve të mëdha gjuhësore dhe robotëve që po përfshihen gjithnjë e më shumë në proceset e punës.
Nevoja për një rol të tillë lidhet me pyetje që po bëhen gjithnjë e më konkrete: Kush mban përgjegjësi kur AI gabon? A mund të refuzojë një punonjës përdorimin e saj? Dhe deri ku duhet të lejohet një algoritëm të ndikojë në punësim, vlerësim apo largim nga puna? Sistemet algoritmike tashmë përdoren për caktimin e detyrave, monitorimin e performancës dhe vlerësimin e punonjësve.
Një departament i ardhshëm “Robot Relations” mund të mos merret vetëm me problemet teknike, por edhe me ndikimin e AI-së në mirëqenien, zhvillimin profesional, privatësinë dhe mundësitë për avancim të punonjësve. Ideja kryesore është që njerëzit të mos përshtaten thjesht me automatizimin, por të kenë rol edhe në përcaktimin e mënyrës se si këto sisteme përdoren dhe sa autoritet u jepet në vendin e punës.


