Si zinku, ashtu edhe vitamina C janë të rëndësishëm për mbrojtjen e organizmit. Zinku ndihmon zhvillimin dhe funksionimin e qelizave imunitare, përshpejton shërimin e plagëve dhe mbështet reagimin ndaj viruseve e baktereve.
Vitamina C vepron si antioksidant, mbron qelizat dhe ndihmon qelizat e bardha të gjakut të luftojnë infeksionet. Ajo duhet të merret rregullisht përmes ushqimeve si agrumet, kivi, specat e kuq dhe perimet e tjera, pasi organizmi nuk e ruan në sasi të mëdha.
Sipas nutricionistëve, përgjigjja është e thjeshtë: organizmit i nevojiten të dyja. Megjithatë, zinku i marrë në fillim të ftohjes mund të ndihmojë më shumë në shkurtimin e simptomave. Suplementet nuk duhen përdorur pa kriter, ndërsa baza e një imuniteti të mirë mbetet ushqimi i larmishëm, gjumi, hidratimi dhe aktiviteti fizik.


